Lumi Vjosa doli nga shtrati, urdhër i menjëhershëm evakuimi në Bashkinë Vlorë dhe Novoselë
Përmbytjet nga Vjosa kanë detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin urgjent të banorëve në Novoselë.

Situata nga moti i keq mbetet problematike në qarqet Vlorë dhe Fier, ku lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe po rrezikon drejtpërdrejt zonën e Novoselës dhe fshatin Ferras në Fier. Në Durrës, lumi Erzen ka dalë nga shtrati duke përmbytur toka bujqësore dhe duke rrethuar banesa, ndërsa Ministri i Mbrojtjes ka thirrur një mbledhje të emergjencave në Vlorë. Në veri të vendit, reshjet e shiut janë zëvendësuar nga bora, deri më tani pa problematika serioze.
Situata në Vlorë dhe Fier
Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e Urës së Mifolit, ku niveli i ujit ka arritur në 9 metra mbi nivelin e detit. Policia ka larguar tregtarët nga zona e urës, ndërsa rreziku është rritur për Njësinë Administrative Novoselë, ku është dhënë urdhër për evakuimin e menjëhershëm të banorëve. Sipas raportimeve, rreth 100 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur dhe 14 banesa ndodhen nën ujë. Prurje të shumta janë regjistruar edhe në Memaliaj, ku niveli i ujit ka shkuar në 7.5 metra. Në Vlorë është ndaluar gjithashtu lundrimi i peshkarexhave për shkak të kushteve të rrezikshme.
Dalja nga shtrati e lumit Vjosa rrezikon edhe fshatin Ferras në Fier, ku janë përmbytur toka bujqësore dhe 27 banesa kanë prezencë uji. Në bashkitë Lushnjë dhe Divjakë, pas daljes nga shtrati të lumit Seman, rreth 280 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.
Gjendja në Durrës dhe Shkodër
Në Durrës, lumi Erzen ka dalë nga shtrati duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë dhe duke rrethuar banesa në zonën e Katundit të Ri. Në të gjithë qarkun, deri më tani raportohet se rreth 350 persona janë evakuuar dhe janë strehuar në ambientet e Konvalishencës.
Në Shkodër, niveli i ujit të lumit Drin ka shënuar rënie, por niveli i Bunës është në rritje dhe në zonën e Obotit nuk kalohet me mjete të vogla. Ndërkohë, reshje bore janë regjistruar në Llogara, Kukës, Bogë, Theth, në aksin Hani i Hotit–Vermosh dhe në Rrugën e Kombit.
Urdhri i evakuimit dhe masat emergjente
Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosa dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, është dhënë urdhër për evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Bashkisë Vlorë, Njësia Administrative Novoselë. Evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave civile. Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin përkatës.
Prioritet gjatë procesit të evakuimit do t’u jepet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara. Transporti për evakuimin do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si dhe Forcat e Armatosura. Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për të evakuuarit do të kryhet nga bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale.
Gjatë këtij procesi do të realizohet regjistrimi i të evakuuarve në ambientet e strehimit të përkohshëm, administrimi i nevojave bazë si ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, si dhe ofrimi i informacionit periodik për zhvillimin e situatës dhe masat në vijim. Njoftimi ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë, ndërsa qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të kontaktojnë numrin e emergjencave për çdo situatë të rrezikshme.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






